Thaçi pas caktimit të seancës për votimin e qeverisë: Hap i menduar i Kurtit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se vendimi për mbajtjen e seancës plenare për votimin e qeverisë më 3 shkurt, është hap i menduar nga Albin Kurti.

Ai para mediave tha se do ta respektojë kushtetutën, përderisa tha se i mbetet spektri politik të bëj hapat e mëtutjeshëm.

“Unë si president do të respektojë kornizën e përgjegjësive kushtetuese. Mbetet spektri politik që të bëj hapat e mëtutjeshëm. Mbajtja e seancës të hënën është në përputhje me Kushtetutën. Është një hap i menduar i mandatarit dhe gjithsesi obligim kur është mandatuar nga ana ime”, tha Thaçi pas vizitës së shtatores së heroit, Zahir Pajaziti në 23 vjetorin e rënies së tij.

I pari i vendit u pyet edhe nëse Kosovës i duhet një qeveri e pakicës, apo një e tillë sipas tij do t’i shkaktonte dëme vendit.

Thaçi tha se në këtë rast Republikës së Kosovës i duhet një qeveri stabile me partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

“Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe efikase, e respektit qytetar dhe e një bashkëpunimi të ngushtë me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n”, tha ai.

Kryesia e Kuvendit sot ka vendosur ta caktojë për të hënën (3 shkurt) në orën 11:00 seancën plenare kur do të votohet përbërja e qeverisë, sipas kërkesës së kryetarit të LVV-së dhe të mandatuarit për kryeministër, Albin Kurtit. /Gazeta Sinjali/