Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot i paqëndrueshëm, me erëra dhe reshje të herëpashershme shiu. Reshje pak më intensive priten në disa vise të Dukagjinit, ndërsa erëra më të fuqishme priten në viset-kodrinore malore dhe Rrafshin e Kosovës. Në Prishtinë dhe rrethinë herë pas here priten erëra me shpejtësi nga 45 deri afër 55 km/h.. Gjatë natës pritet qetësim i motit.

Në Shqipëri sot pritet një ditë e stuhishme me rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë dhe erëra herë pas here të fuqishme nga jugu. Rrebeshet më të fuqishme priten në jug dhe jugperëndim të vendit, lokalisht edhe në shumë vise tjera, veçanërisht bregdetare.

Reshjet shiu nesër priten edhe në Maqedoninë e Veriut sidomos pasdite.

Të enjten pritet mot pak më i qetë, por do të vazhdojë të jetë vranët dhe me riga lokale shiu veçanërisht në Shqipëri.

Edhe të premten dhe ditëve të fundjavës do të mbajë mot mjaft i paqëndrueshëm, me vranësira, intervale kohore me diell si dhe shpeshherë edhe me reshje shiu. Në viset kodrinore-malore priten reshje të herëpashershme bore./Meteoballkan