Thaçi për refuzimin e ftesës nga Kurti: Kosova s’ka kohë për të humbur për teke të askujt

Pas takimeve me të gjithë liderët politik e institucional, në përjashtim me kryeministrin Albin Kurti, I pari i shtetit, Hashim Thaçi ka mbajtur konferencë për media në të cilën njoftoi se liderët institucional u pajtuan dhe ishin të një zëri rreth qëndrimeve të përbashkëta të interesit nacional, raporton Ekonomia Online.

Presidenti Thaçi, bëri të ditur se edhe Lista Serbe është e pajtimit që të punojnë në interes të përbashkët, për paqe dhe jetë më të mirë të qytetarëve.

“Synimi im ka qenë që të diskutojmë më pozitën dhe opozitën për momentin aktual që po kalojmë dhe hapat që do të ndermarrim në të ardhmen e afërt. Vecenarisht për takimin që ndodhi në ShBA me presidentin Aleksandër Vuciq.”, tha Thaçi.

“Me Isa Mustafën ka qenë një takim i shkëlqyer. Kemi diskutuar për procesin dhe u dakorduam që të kemi qëndrim të perbashkët në konsolidimin e jashtëm. Vlerësoj rolin e tij në marrëdhëniet diplomatike. Me Kadri Veselin diskutuam për rolin e opozitës si gurthemel për realizimin e çështjeve të interesit të përbashkët. Takim miqësor edhe me ish kryeministrin Ramush Haradinaj i cili përkrahë përpjeket për një qëndrim të përbashkët madhor shtetëror dhe e vlerësoj lartë. Edhe me Fatmir Limajn u pajtuam që të flasim me një zë. Një takim të mirë edhe me Listën Serbe, roli i tyre është i rëndësisë së veçantë në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë multietnike. Është me interes që të punojmë bashkë. Të njëjtin mesazh për unitet politik e mora edhe nga Behgjet Pacolli”, shtoi Thaçi

Kreu i shtetit, ka komentuar edhe mosardhjen e kryeministrit Kurti, për të cilin tha se është i gatshëm kurdo që ai e sheh të arsyeshëm të takohet. Por, tha ai se Kosova nuk ka kohë për të humbur nga teket e askujt.

“Takimi ka qenë i konfirmuar qysh nga e premtja, pasi ftesa ime ka qenë që të ndodhë i pari me liderët udhëheqës por për fat të keq është anuluar ky takim nga zyra e Kryeministrit. Unë do të takoj kurdo që mendon se është interes të takoj. Kosova nuk ka kohë të humbur për t’i marrë parasysh teket e askujt”, u shpreh Thaçi.