Thaçi për vizitën e tij në Bruksel dhe Uashington: Kam kërkuar që njohja reciproke të diskutohet mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një paraqitje televizive është shprehur se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bruksel ka qenë për arsye të liberalizimit të vizave dhe për fuqizimin e marrëdhënieve Kosovë – SHBA.

Thaçi ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij ka kërkuar që të liberalizohen vizat për kosovarët dhe gjithashtu se ka kërkuar informacione me pozicionin aktual të dialogut.

“Qëllimi ka qenë që të shohim zhvillimet aktuale në të cilat është e pozicionuar Kosova. Takimi në Bruksel ka qenë e karakterit që të diskutohet për liberalizimit të vizave, edhe mundësia e vazhdimit të dialogut dhe potencialisht perspektiva e arritjes së marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe natyrisht punët që duhet t’i kryejmë ne si shtet i Kosovës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Thaçi është shprehur se në Bruksel dhe Uashington ka theksuar se ka ardhur momenti që të shtrohet në tavolinë çështja e njohjes reciproke.

“Po është e qartë që edhe në Bruksel edhe në Uashington kam theksuar qartë se ka ardhur momenti që të largohemi nga çështjet e lodhshme dhe jo-produktive të aspekteve teknike të dialogut, prandaj është momenti të hidhet në tavolinë diskutimi për njohje reciproke, që pika e parë të jetë njohja reciproke, të respektohet integriteti territorial i vendeve dhe çështjet tjera janë më lehtë të negociushme. Por nuk mendoj se mund të vimë tek njohja reciproke nëse diskutohen çështjet që janë diskutuar tash e 10 vite”, tha Thaçi në Dukagjini.

Gjithashtu, i pyetur nëse do të ketë thika mbi harta në marrëveshjen finale, Thaçi tha se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë dhe ata që kanë folur për këtë temë, duhet t’i kërkojnë falje opinionit publik.

“Thika mbi harta nuk ka pasur as në Bruksel e as në SHBA dhe as nuk do të ketë kurrë. Edhe BE edhe SHBA janë të interesuara për marrëveshje Kosovë – Serbi, për zhvillim ekonomik dhe edhe ata që kanë folur për thika mbi harta duhet t’i kërkojnë falje opinionit publik”, tha Thaçi.

Thaçi tha se qëndron pas idesë se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës.