Thaçi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës të dalin masivisht në zgjedhjet në Serbi, për t’i votuar partitë shqiptare

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, është shprehur i lumtur që spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës po garon në një listë të përbashkët në zgjedhjet e së dieles në Serbi.

Thaçi u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve të atyre anëve që të dalin masivisht në zgjedhjet e nesërme.

“Të gjithë bashkëkombësve shqiptarë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u bëj thirrje që të dalin masivisht në zgjedhjet e nesërme dhe të votojnë për platformën e unifikuar politike të partive shqiptare”, ka shkruar Presidenti Thaçi në Facebook.

Ky është shkrimi i plotë:

Jam i lumtur që i gjithë spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës është bashkuar dhe në procesin zgjedhor atje po garojnë me Listën e Përbashkët të Shqiptarëve.

Të gjithë bashkëkombësve shqiptarë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u bëj thirrje që të dalin masivisht në zgjedhjet e nesërme dhe të votojnë për platformën e unifikuar politike të partive shqiptare.

Duke qëndruar të bashkuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kombëtare, zëri i shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të dëgjohet kudo. Me vetëdije të lartë kombëtare dhe të bashkuar në përgjegjësi politike e forcojmë më shumë edhe kombin tonë.