Thaçi takohet me kryeministrin japonez: Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Japoninë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur nga kryeministri I Japonisë, Shinzo Abe, në vazhdën e vizitës së tij zyrtare në Japoni, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit Naruhito.

Thaçi ka thënë se pavarësisht largësisë gjeografike Kosova dhe Japonia po vazhdojnë bashkëpunimin e mirë mes dy shteteve dhe do të thellojnë marrëdhëniet mes vete.

Ai përveç mbajtjes së Javës së Kulturës Japoneze në nëntor në Prishtinë, Presidenti po paralajmëron edhe hapjen e Ambasadës japoneze në Kosovë gjatë vitit 2020.

“Pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin Abe të Japonisë dhe të konfirmojmë të dy se vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyera, pasi që kemi bërë përparim në bashkëpunimin tonë ndërshtetëror. Në fillim të këtij muaji është mbajtur një takim i suksesshëm në mes bizneseve të Kosovës, Japonisë dhe Austrisë në Vjenë, kurse muajin tjetër në Kosovë do ta kemi Javën e Kulturës Japoneze. Ndërsa, në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet edhe Ambasada e Japonisë në Prishtinë. Largësia gjeografike nuk na pengon të jemi partnerë strategjikë me Japoninë dhe të ndajmë vlera, parime dhe synime për një botë të lirë, demokratike e prosperuese”, ka shkruar Thaçi në Facebook.