Trafikanti i drogës e vret në rrugë policin në SHBA (video)

Një trafikant droge qëlloi për vdekje një oficer policie në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ishte ndaluar për kontroll.

Polici, i identifikuar si Darian Jarrott, baba i tre fëmijëve, e ndaloi trafikantin e drogës Omar Felix Cueva.

“Mirëmëngjesi, zotëri. Unë quhem Darrian Jarrott dhe jam oficer policie në Nju Meksiko. Arsyeja e ndalimit janë xhamat e zinj”, i tha polici.

Në bisedë e sipër, e cila nuk zgjat më shumë se 3 minuta, oficeri i kërkon drejtuesit të automjetit që të shkonte te makina e policisë në mënyrë që të kryente kontrollin.

Në këtë moment, Omar Felix Cueva del nga makina dhe qëllon barbarisht me një armë AR-15 në drejtim të oficerit, i cili bie menjëherë në tokë pas të shtënave, ndërsa Cueva largohet nga vendi i ngjarjes. Policia bëri të ditur më pas se Cueva kishte një të kaluar problematike, ndërsa ishte i akuzuar edhe për shpërndarje droge.

Më pak se një minutë pas ngjarjes, një agjent i hetimeve të Sigurisë Kombëtare mbërriti në vendin e ngjarjes dhe kuptoi se Jarrott kishte ndërruar jetë.

Policia e ndoqi Omar Felix Cueva për më shumë se 60 kilometra kur ai shkëmbeu zjarr me oficerët dhe mbeti i vrarë, ndërsa një tjetër oficer policie mbeti i plagosur.