Tri arsyet e mundshme që Veseli e Thaçi refuzuan vizitën e ministres Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka nisur një vizitë në Hagë për t’i takuar siç thotë ajo ish-luftëtarët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja.

Por jo të gjithë të akuzuarit do të takojnë Haxhiun. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kanë refuzuar një vizitë nga tanimë ministrja e Drejtësisë, dikur oponente politike e tyre, Albulena Haxhiu.

Në mesin e shumë komenteve për arsyen e refuzimit të dytë për takim me Haxhiun, natysisht spikasin sjelljet dhe veprimet e kësaj të fundit pikërisht kundër Thaçit e Veselit në të kaluarën.

Haxhiu po synon t’i takojë dy ish-krerë të UÇK-së, më vonë edhe krerë institucional, që dikur iu referohej të dyve si kriminelë.

Për Thaçin ajo këto cilësime i jepte në Facebook, e për Veselin kursehej edhe më pak, dhe shprehjen “kriminel” ajo ia atribuonte atij midis Kuvendit të Kosovës.

Dikur i quante kriminelë, Albulena Haxhiu tash dëshiron t’i vizitojë në paraburgim Veselin e Thaçin.

Por kjo mund të mos jetë arsyeja e vetme që Veseli e Thaçi kanë refuzuar të kenë një takim me Haxhiun në Speciale.

Ishte shkurti i vitit 2016, kur bashkëshorti i Albulena Haxhiut, funksionar në Vetëvendosje, Alban Krasniqi, do të jepte komente skandaloze për Kadri Veselin, në atë që nga mediat do të shihej si “kërcënim për vrasjen e Veselit”.

“Pastë dorën e marë ai që të marrtë në shenjë”, shkruante ndër të tjera Krasniqi, i cili në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për kryetar të Malishevës, por që u deklasua nga partitë tjera.

Aso kohe thuhej se kishin nisur hetimet ndaj Krasniqit për këtë koment ndaj Veselit.

Arsye tjetër e refuzimit të takimit mund të jetë edhe parashkrimi i lëndës ndaj Krasniqit për rastin e kërcënimit ndaj Veselit, e që burimet e lajmi.net thonë se ka ndodhur pasi që Haxhiu është emëruar ministre.

Ministrja Haxhiu tha sot se në Hagë përveç Veselit e Thaçit, të cilët s’kanë pranuar, takim nuk do të ketë as me Salih Mustafën dhe të njëjtin e ka pamundësuar vetë Gjykata Speciale.

“Do ta takojmë Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin dhe Pjetër Shalën. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ka thënë Haxhiu. /Lajmi.net/