Trump reagon për dezinfektantët: I bëra një pyetje sarkastike gazetarëve

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj furtunës që shkaktuan komentet e tij se dezinfektantët mund të përdoren për të trajtuar pacientët me koronavirus, duke thënë se thjesht po bënte ironi. “ I bëra një pyetje sarkastike gazetarëve për të parë se c`do të ndodhte dhe që kishte të bënte me pastrimin e brendshëm”, është shprehur ai.

Po komentet e presidentit u morën seriozisht dhe shkaktuan alarm mes ekspertëve të shëndetësisë, reagime tallëse në rrjetet sociale, si dhe paralajmërime nga një kompani prodhuese të produkteve sanitare.”E shoh që dezinfektanti e eliminon në një minutë, një minutë”, ishin fjalët e presidentit. “Dhe, a ka ndonjë mënyrë që të mund ta bëjmë diçka të tillë nëpërmjet injeksionit, brenda, ose thuajse një pastrim?”Reagimet ishin të menjëhershme.

“Ky është një sugjerim absolutisht i rrezikshëm, i çmendur”, tha Paul Hunter, profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore, Britani. Një farmaciste akademike në Universitetin Reading në Berkshire, Angli, Parastou Donyai, shprehu tronditje për ato që ajo tha se ishin “komente jo-shkencore” që mund të shtyjnë njerëzit me virus të kërkojnë trajtime shtëpiake. Në konferencën e së enjtes, Trump diskutoi gjithashtu për përdorimin e mundshëm të nxehtësisë dhe dritës si mënyrë për të trajtuar koronavirusin.