Temat që pritet të diskutohen në takimin e sotëm

Gjatë ditës së sotme pritet të mbahet takimi i dytë mes grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së. Në këtë takim pritet të diskutohet rreth harmonizimit të qëndrimeve mes dy subjekteve, politikave të brendshme dhe atyre të jashtme. Anëtarë të ekipeve kanë bërë të ditur se temë e bisedave të sotme do të jetë edhe dialogu me Serbinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Teksa ka pohuar se takimi LVV – LDK do të mbahet sot, në orën 15:00, kandidatja për deputete nga LVV-ja Albulena Haxhiu ka thënë se takimi i së mërkurës do të jetë vazhdimësi e atij që u mbajt në fund të javës që shkoi.

“Kemi thënë që tash e tutje do të kemi intensitet të takimeve tona, për faktin se besojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme të punohet me intensitet në këtë drejtim. Qëllimi i këtyre grupeve punuese është diskutimi mbi programin qeverisës, harmonizimi i programit dhe pa dyshim strukturimi i qeverisë së ardhshme”, ka deklaruar Haxhiu për “Zërin”

Ndërkaq gjersa ka folur rreth takimit të së mërkurës, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se aty do të diskutohet për çështjet programore që sipas saj do të jenë sfidat e para me të cilat do të përballen dy subjektet.

“Takimet ndërmjet grupeve punuese, të cilat po tentojnë harmonizimin e programit, po mbahen vazhdimisht dhe takimi i radhës është nesër, pra të mërkurën, ku do të diskutohet edhe më tej për shkrirjen e ministrive, për mënyrën se si mund të funksionojnë ato, por edhe për disa çështje të tjera programore që do të jenë sfidat e para me të cilat do të ballafaqohen të dy partitë”, ka deklaruar Osmani.

Osmani tutje ka pohuar se ka dallime mes LVV-së dhe LDK-së, porse këto do të harmonizohen së shpejti.

“Dallime natyrisht që ka, sepse po flasim për dy parti të ndryshme të cilat jo vetëm që kanë ideologji të ndryshme politike, por edhe programet tona dallojnë në disa fusha, sidomos te fusha e ekonomisë, te çështjet sociale. Deri diku kemi dallim edhe te politika e jashtme, mirëpo këto çështje patjetër që ne duhet t’i harmonizojmë”, ka theksuar ajo.

Kurse Glauk Konjufca, i cili është përfaqësues i grupit punues të LVV-së, ka thënë se në takimin e së mërkurës do të diskutohet edhe për politikë të jashtme, rrjedhimisht edhe për dialogun me Serbinë.

Por sipas politologut Belul Beqaj, nga takimi i sotëm mes LVV-së dhe LDK-së nuk mund të pritet asgjë madhështore. Ky takim sipas tij paraqet vetëm një tentim për t’i identifikuar problemet dhe për t’i përpiluar agjendat.