Trusti i rikthen gati të gjitha paratë që i humbi në tregjet ndërkombëtare

Pak javë më parë, Trusti njoftoi se ka pësuar humbje milionëshe nga investimet në tregjet e jashtme, krejt kjo nga fillimi i krizës në tregjet ndërkombëtare financiare pas pushtimit rus në Ukrainë.

Gjithsej 90 milionë euro ishte shuma që Trusti lajmëroi se ka humbur nga investimet në tregjet e jashtme, vetëm në 7 ditët e para të fillimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, shkruan Periskopi.

Mirëpo, sipas të dhënave më të fundit nga tregjet e jashtme, Trusti ka arritur të rikthej nga fitimet mbi 82 milionë euro fitim.

Periskopi ka parë publikimin e fundit që e ka bërë Trust mbi gjendjen e mjeteve nën menaxhim, dhe aty shihet se aktualisht kanë mjete nën menaxhim në vlerë prej 2, 361, 374, 921 euro, derisa më 25 shkurt kishte deklaruar se ka 2, 286, 571.013 euro.

Fondi Pensional e kishte mbyllur vitin 2021, me një buxhet fiks në vlerë prej 2, 353, 174, 911 euro. Krahasuar me mbylljen e vitit e cila ishte më e mira për këtë institucion gjatë tërë viteve. Tash ka nën menaxhim rreth 6 milionë euro më shumë.

Duke parë humbjet e mëdha për shkak të luftës në Ukrainë, Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, bazuar në rekomandimet e Komisionit të Bordit për Investime, në mbledhjen e 15 marsit 2022 kishte vendosur për tërheqjen dhe alokimin e mjeteve: Tërheqjen e investimet nga fondet: a. I gjithë investimi nga fondi i BNP Paribas Target Risk Balanced; b. 50 milionë euro nga BNY Mellon Global Return; c. 30 milionë euro nga fondi i naftës Crude USO ETF.

Më pas mjetet ishin investuar në fondet: a. 50 milionë euro në QQQ ETF; b. 50 milionë euro në XOP ETF; c. 20 milionë euro në Vanguard GSI; d. 40 milionë euro në Vanguard GSI – nëse çmimi i fondit bie për 15% nën çmimin e datës 31.12.2021; e. 50 milionë euro në QQQ ETF – kurdo që fondet nga shitja nën pikën 1. janë të gatshme për investim.

Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Për shkak të situatës së rëndë ekonomike, deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk e përkrah nismën e Kuvendit të Kosovës për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, që njihet edhe si Trust.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, pas një mbledhjeje të mënyrë elektronike të mërkurën, më 21 prill.

Ekzekutivi kosovar, që udhëhiqet nga Albin Kurti, tha se është afër qytetarëve për të “ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme”. Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, në mars kishte iniciuar nismën legjislative për tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Qytetarët e Kosovës kanë pasur të drejtë që të tërhiqnin kursimet e tyre nga Trusti pas një vendimi të marrë më 2020. Ky vendim ishte marr për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve në Kosovë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.