Turqia arreston dy ushtarë grekë

Një gjykatë në Edirne të Turqisë ka marrë vendim që dy ushtarë grekë të mbahen në paraburgim si të dyshuar për spiunazh ushtarak. Autoritetet greke kanë kërkuar që ushtarët të lirohen menjëherë, shkruan Deutsche Welle.

Ushtarët grekë që u arrestuan nga turqit në një zonë ushtarake, po pretendojnë që e kishin humbur rrugën gjatë një stuhie të motit të ashpër me borë e mjegull. Ata ishin arrestuar në një zonë që nuk ishte qartë e shënuar si territor i ushtrisë turke pranë Edirnesë.

Zyrtarët grekë thanë që Kryeministri Alexis Tsipras është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke për lirimin e ushtarëve. Greqia ka thënë se pret që lirimi të ndodhë shpejt, megjithatë vendimi i gjykatës turke tash për tash e pamundëson këtë.