Tyson Fury e mposht Deontay Wilderin dhe ia rrëmben titullin (Video, Foto)

Tashmë ka vetëm një boksier të pamposhtur në kategorinë e peshave të rënda dhe emri i tij është Tyson Fury. Boksieri britanik ka bërë një rikthim të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e tij drejt majës duke u shpallur kampion i botës në divizionin WBC.

Këtë titull ia rrëmbeu atij që njihet si Bomberi i Bronztë dhe ishte i pamposhtur deri më tani, Deontay Wilder, të cilin e nënshtroi në përballjen e tyre të dytë që u zhvillua në MGM Grand Garden Arena të Las Vegasit të shtunën mbrëma (mëngjesin e të dielës me kohën tonë).

Britaniku e dominoi meçin kundër amerikanit që nga fillimi dhe në raundin e shtatë e fitoi duelin me nokaut teknik, pasi gjyqtari e ndërpreu duelin, duke qenë se ekipi i Wilderit e hodhi peshqirin.

Wilder e fillon furishëm sfidën duke e sulmuar kundërshtarin që në fillim të meçit duke e goditur edhe në trup, gjë që nuk e kishte bërë herën e parë. Në ndërkohë Fury u përpoq të kthehej në vazhdim të minutave duke kombinuar me goditjet e tij.

Kurse, fundi i kësaj ndeshje erdhi në raundin e shtatë, kur pas goditjeve të njëpasnjëshme të Fury, gjyqtari ndërpreu takimin.

Kështu, Tyson Fury është kampioni i ri i WBC. Wilder mbrojti 10 herë këtë titull, para se t’ia kalonte Furyt.

Fury tashmë shkon në 30 fitore, 1 barazim dhe 0 humbje. Për Wilder, kjo është humbja e parë.

https://www.youtube.com/watch?v=-DEZZpQ6Sd8