U kap me drogë, pranga dhe fishekë, një muaj paraburgim për vushtrriasin

Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit F.S., nga Vushtrria pasi në banesë iu gjetën drogë, pranga, fishekë dhe sprej.

“Ai dyshohet për veprat penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike“ si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicë.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se deri me datë 27 korrik 2019, i dyshuari në banesën e tij në Vushtrri, pa autorizim është furnizuar me substancë narkotike në sasi prej 2 kilogramë e 400 gramë të llojit marihuanë të ndara në nëntë qese në sasi të ndryshme, si dhe një qese në të cilat ishin farat e bimës së kanabisit me peshë prej 34.3 gramëve, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur një palë pranga të ngjashme me të policisë, tetë copë fishekë, si dhe një sprej.