U lajmërua në Polici nga gruaja e tij – detaje për të dyshuarin e rastit tragjik në Zhur

Policia e Kosovës i ishte përgjigjur një thirrjeje për dhunë në familje në Zhur e më pas ishte njoftuar edhe se i dyshuari kishte narkotikë.

Siç raporton Kohavision, gjatë zgjerimit të hetimit dhe bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit, një shpërthim ka shkaktuar vdekjen e një polici dhe lëndimit të dy të tjerëve.

Personi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij dhe me këtë rast gruaja e ka paraqitur rastin. Janë mbi 20 vepra penale që rëndojnë mbi të dyshuarin.

Ndonëse Policia akoma nuk ka dhënë detaje se si ndodhi shpërthimi në shtëpinë ku do të kryhej bastisja, është e konfirmuar se kanë pësuar tre policë, njëri prej tyre nuk u mbijetoi plagëve.

“Mund të konfirmojmë se sot 28.01.2020 në orët e mbrëmjes gjatë një operacioni policor në fsh. Zhur të Prizrenit, dyshohet se ka ndodhur një shpërthim ku si pasojë e këtij shpërthimi ende të pa identifikuar kanë pësuar lëndime tre zyrtar policor dhe një qytetar. Si pasojë e lëndimeve/plagëve të pësuara dyshohet se njëri nga zyrtarët policor të ketë ndërruar jetë”, ka thënë për Insajderin.

Zyrtari i Policisë më vonë tregoi se i lënduar ka mbetur edhe një fëmijë, i cili jetonte në shtëpinë ku u krye operacioni.

“Për fat të keq është një rast tragjik. Gjatë bastisjes së një lokacioni në fshatin Zhur ka pasur një eksplodim, por ende nuk dihen detajet e mjetit eksplodues. Për fat të keq ka humbur jetën një koleg i yni, një polic profesionist. Në këtë rast edhe një fëmijë i familjes ku është kryer bastisja ka pësuar lëndime të lehta”, deklaroi Osmanollaj.