Uk Lushi: Ndihem i turpëruar me sjelljet mujshare të Kurtit e Osmanit

Publicisti shqiptar që jeton dhe vepron në SHBA, Uk Lushi ka shkruar sërish për krerët e shtetit, Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, në këtë rast për shkarkimin e diplomatëve e shërbyesve të shtetit.

Lushi thotë se ndihet i turpëruar me sjelljet mujshare të tyre.

Ja postimi i plotë:

Disa sjellje të panevojshme amatoreske dhe arrogante të shtetit të Kosovës prej se në pushtet kanë ardhur Vjosa Osmani dhe Albin Kurti me një dyzinë përfaqësuesish të diplomacisë sonë janë kundër kulturës dhe traditës shqiptare që respekton dinjitetin njerëzor. Trajtimi i diplomatëve të shtetit pa respektin minimal si shërbyes të shtetit tregon primitivizëm të cilin nuk e bëjnë shtetet serioze dhe demokratike.

Është në rregull të lirohen apo shkarkohen diplomatët sepse pushteti i ri do ashtu dhe do njerëz të tij në ambasada dhe konsullata, mirëpo shërbyesit e shtetit duhet të trajtohen me respekt dhe dinjitet çdo moment. Edhe kur u kërkohet ndalimi i shërbimit. Nuk mund i largon njerëzit nga detyra ku i kanë shërbyer shtetit me vite duke ua dhënë vetëm disa ditë afat, pa u lejuar kohën minimale për transfer të detyrës, rikthim në atdhe për nevoja të ministrisë apo edhe largim nga diplomacia ose edhe puna. Shërbyesit diplomatikë kanë familje, kanë obligime kontraktuale me banesa, kanë plane që nuk mund braktisen për disa ditë pa pasoja, shpesh të rënda, personale, familjare dhe shtetërore.

Ne shqiptarët nuk i kemi krijuar shtetet ashtu që ato të trajtojnë njerëzit tonë egërisht dhe pa asnjë mpati t’i flakim në rrugë pa u dhënë minimumin kohor të vazhdojnë karrierën apo jetën.

Ndihem i turpëruar me disa sjellje mujshare dhe panevojshëm primitive të pushtetarëve Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Askush nuk duhet të harrojë që pushtetet vijnë e shkojnë dhe të gjitha bëjnë gabim, e le të shpresojmë më shumë se gabime punë të mira, por trajtimi i shtetasve pa dinjitet është lëndim që nuk guxon të na ndodhë sepse shteti nuk ka kuptim kur keqtrajton cilindo shtetas, e aq më shumë kur shtetasit janë shërbyes të shtetit.

I thërras të gjithë shqiptarët e lirë të mos kenë frikë të kërkojnë nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti trajtim njerëzor të çdo shtetasi të Kosovës, përfshirë ata që Osmani dhe Kurti i konsiderojnë jashtë tarafeve të tyre. Le të mos frikohemi të kritikojmë dhe kërkojmë nga çdo pushtetar të jenë njerëzor dhe të mos hakmirren për kritikat apo mospajtimet partiako-politike. Shqiptarët nuk e kanë në gjak denigrimin e askujt e aq më pak të shqiptarëve tjerë.