Ukraina nxit qytetarët që të nisin luftë guerile kundër rusëve

Ndërsa forcat ruse po përparojnë në pikat strategjike në Ukrainën jugore, autoritetet ukrainase të enjten u kanë bërë thirrje bashkatdhetarëve të nisin një luftë guerile kundër forcave ruse, raporton AP.

Në një video-mesazh të postuar në internet, këshilltari i presidentit ukrainas, Oleksiy Arestovich, u bëri thirrje burrave të prisnin pemë dhe të shkatërronin kolonat e trupave ruse.

“Ne i nxisim njerëzit që të fillojnë t’i ofrojnë rezistencë totale popullore armikut në territoret e pushtuara”, tha Arestovich.

“Ana e dobët e ushtrisë ruse është pjesa e pasme – nëse i djegim tani dhe bllokojmë pjesën e pasme, lufta do të ndalet brenda pak ditësh”, tha ai.

Arestovich tha se taktika të tilla tashmë po përdoren në Konotop në verilindje të Ukrainës dhe Melitopol pranë Detit Azov, të cilat u kapën nga trupat ruse.

Ai i bëri thirrje popullatës civile të ndërtojë barrikada në qytete, të mbajë mitingje me flamuj ukrainas dhe të krijojë grupe në internet. “Rezistenca totale…kjo është karta jonë ukrainase dhe kjo është ajo që ne mund të bëjmë më së miri në botë”, tha Arestovich, duke kujtuar veprimet guerile në Ukrainën e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.