Ulje e moshës mesatare dhe pensione të parakohshme në Policinë e Shtetit

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që në mënyrë urgjente të vihet në zbatim pensioni i parakohshëm si dhe ulja e moshës mesatare të efektivëve të Policisë së Shtetit.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit në ambientet e Ministrisë së Brendshme, ku kërkoi po ashtu edhe rritjen e parametrave mesatarë të dijes dhe fizikut të punonjësve të terrenit dhe rritjen e numrit të efektivëve në terren.

Rama kërkoi vijimin e revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit, ndërsa u shpreh se ka ardhur koha për të strukturuar sipas standardeve europiane mekanizmat e shërbimeve inteligjente të vendit.

“Të kërkosh më shumë nga Policia e Shtetit sot është domosdoshmëri që duhet të bëhet paralelisht me një mbështetje më të madhe financiare, logjistike dhe ligjore për Policinë e Shtetit”, tha Rama.

Kryeministri veçoi finalizimin e procesit të ligjvënies për rritjen e paprekshmërisë në kryerjen e detyrës, ndërsa shtoi se sulmi ndaj policisë, goditja, prekja me dorë dhe kundërshtimi i saj, do të konsiderohen vepra penale të dënueshme me burg. “Të tilla janë edhe pengimet e rrugëve dhe punimet në toka publike. Asnjë kundërshti nuk mund të tolerohet më si arsye për të penguar qarkullimin e të gjithë njerëzve në rrugët e vendit ose investimet publike”, tha Rama.

Kryeministri veçoi projektin e monitorimit të qarkullimit përmes teknologjisë së lartë, si dhe reformimin e sistemit të gjobave dhe evitimin e komisioneve të famshme që janë soletë korrupsioni.

Një tjetër kërkesë e Kryeministrit ishte edhe rritja e cilësisë së sjelljes së Policisë së Shtetit me qytetarët./atsh