Ura e rrezikshme në Pestovë

Ura e drunjtë në Pestovë mund të jetë tragjike për ata që kalojnë me automjete mbi këtë urë, pasi drunjtë janë dëmtuar tej mase, ndërsa ura e re nuk funksionalizohet për shkak të problemeve me prona. Edhe rruga e Artakollit (Bukosh – Gllavatin), që lidh 27 fshatra të komunës së Vushtrrisë me komunën e Obiliqit e tutje me Prishtinën, ende nuk ka përfunduar gjithashtu për shkak të problemeve me shpronësimet.

Tani kur gati sa ka përfunduar ndërtimi i rrugës 18-kilometërshe “R220”, e cila lidh 27 fshatra të Vushtrrisë me ato të komunës së Obiliqit e tutje me Prishtinën, problemi që do zgjidhje akute është ura e drunjtë në Pestovë, nëpër të cilën kalojnë banorët e 13 fshatrave të Vushtrrisë. Ajo ende nuk është funksionalizuar ndonëse ka përfunduar, për shkak se një banor, nëpër tokën e të cilit kalon ura, ka kërkuar kompensim, shkruan Zeri.

Për shkak të gjendjes së rëndë të urës së Pestovës, Kuvendi i Vushtrrisë kishte diskutuar disa herë, ndërsa shqetësimin e vet e ka ngritur edhe asamblistja e Kuvendit të Vushtrrisë, Fjolla Ujkani, sipas së cilës problemi i urës ishte adresuar edhe në Komitetin për Politikë e Financa.