Uran Ismaili harton projektligjin për rregullimin dhe uljen e çmimit të barnave, ia dorëzon Vitisë

Në fillim të seancës së sotme parlamentare, deputeti i PDK-së, ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i ka dorëzuar Ministrit Arben Vitia projektligjin për rregullimin e ccmimit të barnave.

Në vitin 2019, Ismaili kishte nënshkruar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe uljen e ccmimeve të barnave, me qëllim që ndalej korrupsioni në blerjen e barnave.

Ismaili tha që me largimin e tij nga Ministria e Shëndetësisë, kjo politikë asnjë nuk është implementuar. Ai tha që gjatë pandemisë janë blerë barna me çmime 2000% më të shtrenjta.

Lexoni më poshtë pjesë nga deklarimi i Ismailit:

“Për vite me radhë, Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit. Për më tepër, qytetarët tanë kanë shpenzuar rreth 10 milionë euro më shumë për blerje të barnave në vit. Qytetarët e Kosovës kanë blerë barna më të shtrenjta në barnatore sesa qytetarët në Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Qytetarët e Kosovës kanë blerë barnat e njëjta me çmim të ndryshëm gjatë ditës dhe natës. Barnat e njëjta kanë pasur çmim të ndryshëm në fshat e në qytet. Ju ftoj që me përkrahjen tuaj të këtij ligji, të ndihmoni që përgjithmonë të ndalim korrupsionin në blerjen e barnave në Ministrinë e Shëndetësisë, të ruajmë xhepin e qytetarëve dhe t’ia kthejmë dinjitetin farmacistëve tanë.” – tha ndër të tjera Ismaili.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pasi e pranoi projektligjin e hartuar nga Uran Ismaili, e falënderoi atë për punën e bërë në këtë ligj.