Ushtarët e KFOR-it të befasuar me këto dy gjëra në Kosovë

Ushtarët e 28 nacionaliteteve qëndrojnë brenda kampit të KFOR-it në Prishtinë.

Gazeta “Zëri” ka qëndruar brenda kampit pikërisht në natën e 24 dhjetorit. Elisabeth Schleicher nga Austria, tregon se është e impresionuar me ngrohtësinë që ia kanë ofruar njerëzit e Kosovës, derisa po ashtu tha se i pëlqen ushqimi dhe “Skënderbegu”. Shawn Harrisit, gjeneral brigade i KFOR-it amerikan, i pëlqen shumë dashuria të cilën ia ofrojnë njerëzit jashtë kampit.

U përkasin nacionaliteteve të ndryshme, mirëpo kjo nuk u ka penguar të ulen e ta festojnë së bashku Krishtlindjen. Janë këta ushtarët e 28 nacionaliteteve të ndryshme brenda kampit të KFOR-it në Prishtinë.

Me të hyrë në kamp ndihej atmosfera festive. Pema e Krishtlindjes, e zbukuruar nga ushtarët, dukej qartë qysh nga larg.

Ndërkaq, hapësirat e secilit nacionalitet përveç me flamur dalloheshin edhe nga mënyra tradicionale e ndriçimit, që ua kishin bërë shtëpizave të tyre.

Kudo që ekipi i gazetës hyri u prit me ngrohtësinë më të madhe nga secili ushtar e secili punonjës.

Madje, ushtarët italianë ftuan ekipin edhe brenda shtëpizës së tyre, në të cilën i shërbyen me tortën tradicionale italiane.

Ndërkohë pak metra larg tyre gjendej hapësira ku pas pak do të niste festa. Tavolina të gjata e të rregulluara si është më së miri ishin mbushur me ushqime të shijshme. Mbi çdo tavolinë qëndronin flamujt e shteteve përkatëse, në mënyrë që ushtarët të dinin se ku të uleshin.

E në çdo karrige qëndronte nga një dhuratë për secilin ushtar. E gjithë festa nisi me urimin e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi, i cili i përgëzoi të gjithë ushtarët për punën që po e bëjnë, ndonëse larg familjeve të tyre.