Vajza 12-vjeçare që u zhduk në Fushë Kosovë dyshohet se u sulmua seksualisht nga një 16-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje në Fushë Kosovë, ku të dielën një vajzë e mitur, e moshës 12-vjeçare është raportuar e zhdukur nga nëna e saj. Për orë të tëra nuk dihej asgjë për fatin e saj, derisa ajo u bë e gjallë vet dhe e njoftoi familjen, se ka qenë e shoqëruar me një 16-vjeçar. Lajmin e mori e ëma derisa po kërkonte ndihmë nga Policia për ta gjetur të bijën. Sinjali ka mësuar se si ndodhi rasti dhe ju sjellë detajet.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se vajza e cila ishte raportuar si e zhdukur, ishte kërkuar në disa lokacione nga familja por që nuk kishin arritur që ta gjejnë. Nëna e 12-vjeçares kishte deklaruar se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia në mbrëmjen e djeshme dhe nuk ishte kthyer më.

Disa orë pasi familja u alarmua, më në fund vajza vendosi t’i lajmërojë se ku gjendet. Siç mëson Sinjali, e mitura ka qëndruar për disa orë me një të mitur, ku fillimisht kishin kaluar kohë bashkë në një kafeteri e më pas kanë shkuar në një objekt, ku dyshohet se 16-vjeçari e ka sulmuar seksualisht.

Njoftimi i vajzës aktivizoi Policinë, me ç’rast 12-vjeçarja u dërgua në stacion policor e më pas në QKUK, për shkak të shenjave që ka pasur nëpër trup. Ajo ka rrëfyer para hetuesve se çka kishte ndodhur mes saj dhe të miturit gjatë kohës që kanë qëndruar bashkë.

Në anën tjetër, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të sigurohet prezenca e peronit të dyshuar, i cili akoma nuk është kapur nga Policia. Ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Sulm seksual”.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.