Vazhdohen shtesat për pensionistët e familjet me asistencë sociale

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vazhdojë mbështetjen me shtesa për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale deri në fund të vitit, me masën që është në fuqi qe disa muaj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se do të ndahen 17 milionë euro, nga programi i rimëkëmbjes ekonomike për këto skema.

Tutje, Murati tha se do të vazhdojë të vlejë pagesa shtesë prej 30 për qind mbi shumën mujore për përfituesit e skemës sociale dhe se do të vazhdojë shtesa për pensionistët që kanë marrë pension në vlera dyshifrore të mos marrin më pak se 100 euro në muaj.

“Këtë e bëjmë me synim të krijimit të një shoqërie të barabartë. E konsiderojmë të veçantë ashtu që të paguhen shtesat për periudhën deri në fund të vitit 2021”, ka thënë Murati.