Vazhdon situata e tensionuar në Jeruzalem, Hamas i kundërpërgjigjet Izraelit

Shtetet në të gjithë botën kanë apeluar për qetësi, pas disa ditësh trazirash ku Izraeli u përfshi në sulme hakmarrëse ndaj palestinezëve.

SHBA, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nxitur Izraelin dhe palestinezët të ulin tensionet sa më shpejt të jetë e mundur.

Dhuna u përshkallëzua të hënën në mbrëmje, pasi militantët palestinezë lëshuan raketa drejt Jeruzalemit. Ushtria izraelite nisi sulmet ajrore kundër caqeve të militantëve në Rripin e Gazës.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë në Gaza thanë se 22 vetë, përfshirë fëmijë, kishin vdekur në sulme. Ushtria e Izraelit tha se të paktën 15 anëtarë të grupit Hamas që sundon në Gaza ishin midis të vrarëve.

Hamasi kishte kërcënuar të godiste pasi qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite në një vend të shenjtë në Jeruzalem të hënën. Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se Hamasi kishte “kaluar një vijë të kuqe” dhe se Izraeli do të përgjigjej “me forcë të madhe”.

Ditët e fundit kanë dëshmuar dhunën më të rëndë në Jeruzalem për vite me radhë. Përballja gjithnjë e më e dhunshme midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në një kompleks në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit kanë kërcënuar të shkaktojnë një konflikt më të gjerë.

Palestinezët janë zemëruar për kufizimet në hyrjen në kompleks, ku është vendosur xhamia al-Aqsa – vendi i tretë më i shenjtë në Islam – së bashku me Malin e Tempullit – vendi më i shenjtë në Judaizëm. Herët të martën, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, një grup humanitar, tha se më shumë se 700 Palestinezë ishin plagosur në përleshjet me forcat izraelite të sigurisë në Jeruzalem dhe përtej Bregut Perëndimor.