Veliu: Llapi nuk e meriton një kryetar komune mashtrues, e as LDK atë që s’guxon të flasë

Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, është shprehur i ashpër ndaj Shpejtim Bulliqit dhe Ekrem Hysenit. Këtë të parin e quan kryetar mashtrues, ndërsa të dytin opozitar inferior që mori timonin e LDK-së në Llap si “dhuratë”.

Teksa i është referuar një debati televiziv, Veliu konsideron se Hyseni nuk e ka kundërshtuar Bulliqin, i cili sipas tij “po lavdërohej me projektet e trashëguara nga qeverisja e LDK-së”.

“Llapi nuk e meriton një kryetar komune që arrogancën e ka si mjet komunikimi dhe mashtrimin e manipulimin si formë qeverisjeje. As LDK-ja në Llap nuk e meriton ta udhëheq një person indiferent e inferior, që nuk guxon të flasë për sukseset e qeverisjes së partisë, të cilën mëton ta përfaqësojë”, ka deklruar Veliu për Hysenin e Bulliqin.

Reagimi i tij i plotë:

Kur në një përballje televizive dalin një ish përfitues i LDK-së dhe një mohues i LDK-së, aty veç debat të argumentuar nuk mund të ketë.

Ndërsa kryetari mashtrues po i thoshte të vetëmashtruarit “hajde flasim për projekte se në politikë të kam mundur”, opozitari çile gur gojën. Nuk i bënte goja t’ia numëronte mëkatet kryetarit manipulator, për dy vite mashtrim të qytetarëve.

Opozitari inferior, që e mori timonin e LDK në Llap si dhuratë, nuk e tha asnjë fjalë të vetme për punët e projektet e mëdha të bëra për qytetarët e Llapit gjatë qeverisjes së LDK-së për dy dekada.

Asnjë kundërshtim ndaj krekosjeve të kryetarit mashtrues, i cili po lavdërohej me projektet e trashëguara nga qeverisja e LDK-së.

Asnjë fjalë e argumentim konkret për abuzimet e vazhdueshme të kryetarit arrogant me qeverisjen dhe buxhetin e Komunës.

Dhe tash me të drejtë pyesin qytetarët, aktivistët, anëtarët e simpatizantët e LDK-së çfarë deshi dhe cili ishte qëllimi i paraqitjes në një debat televiziv i kryetarit të kontrabanduar të LDK-së në Podujevë?

Në qoftë se ka dashur ta dëshmojë edhe njëherë paaftësinë dhe inferioritetin politik përballë një mashtruesi të ardhur aksidentalisht në krye të Komunës, atëherë ia ka dalë plotësisht. Siç ia doli edhe kryetari mainpulator ta dëshmojë paturpësinë politike, duke i numëruar si sukses projektet e trashëguara nga qeverisja e LDK-së.

Llapi nuk e meriton një kryetar komune që arrogancën e ka si mjet komunikimi dhe mashtrimin e manipulimin si formë qeverisjeje. As LDK-ja në Llap nuk e meriton ta udhëheq një person indiferent e inferior, që nuk guxon të flasë për sukseset e qeverisjes së partisë, të cilën mëton ta përfaqësojë.