Vëllai i të akuzuarit në rastin e vjedhjes së 2.1 milionëshit nga Thesari i Shtetit thotë se ai ia kishte borxh 26 mijë euro

Në seancën e së mërkurës në gjykimin ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, në cilësi të palës së tretë është dëgjuar edhe vëllai i të akuzuarit Shala, Bedri Shala, i cili tha se i akuzuari Shala ia ka pasur borxh 26 mijë euro.

Këtë deklarim, Shala e bëri në gjykimin ku Labinot Gruda dhe Kadri Shala akuzohen për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Shala the se vëllai i tij (Kadri Shala), 20 mijë euro i ka marrë në formë të parave, si dhe një makinë në vlerë 6 mijë euro, e cila i është konfiskuar.

Andaj, kërkoi që e njëjta t’i kthehet.

Kurse, paraprakisht, dëshmoi Halil Shabani, pronar i “GAP” Sh.P.K., i cili u paraqit me avokatin Tomë Gashi. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e këtij të fundit, ndër të tjera ka thënë se kompaninë “Gashi Comerce” e kanë pasur klient në 4-5 vitet e fundit, si dhe pagesat janë bërë gjithmonë me llogari.

Tutje, ai ka shtuar se pas urdhrit ndalues afatgjatë të 25 tetorit 2020, ka pasur kontroll të ATK-së, raport të cilin e dorëzoi avokati Gashi, duke theksuar se vërtetohet se nuk ka pasur shkelje.

Ai ka thënë se gjithçka që shesin e shesin me faturë, sipas tij “Gashi Comerce” i ka marrë produktet për të cilat ka paguar, si dhe çmimet kanë qenë çmime të tregut.

“Problemin ma të madh e kem qysh me i shit, jo ka i marrin klientat paret”, ka shtuar Shabani, duke theksuar se është viktimë e këtij rasti.

Ndryshe, paraprakisht është dëgjuar edhe pronari i “Kreativ” Sh.P.K, Astrit Zenaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Eset Berisha, ka thënë se ka pasur kontratë trevjeçare me “LDA” që nga viti 2019, si dhe është paguar për shërbimet që i ka kryer kompania e tij, mirëpo nuk e ka ditur se ato mjete janë tërhequr në atë mënyrë.

I njëjti, tha se për shkak të bllokimit të llogarisë bankare, kompania e tij veçse ka falimentuar.

“Tash veç ka falimentu gati krejtësisht për shkak të presionit të kompanive tjera, konkurrencës, s’ka pas qarkullim ngase s’munum me bo pagesa as sen”, ka shtuar Zejnaj.

Ndërsa, pas pyetjes së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Mentor Bajraktari në lidhje me shumën e kontratës, Zejnaj ka thënë se brenda tri viteve sa ka mundur të punojë, vlera është rreth 27-30 mijë euro.

Ndërkaq, Kemal Pervance, pronari i subjektit juridik “Elektro” Sh.P.K. nuk ka qenë i pranishëm mirëpo është përfaqësuar nga avokati Leutrim Syla, i cili tha se kërkesa e prokurorisë për konfiskim është edhe esencialisht edhe proceduralisht e kundërligjshme.

Sipas tij, transaksionet në mes “Elektro” Sh.P.K. si palë e tretë dhe “LDA” Group kanë qenë të ligjshme, të bazuara në fatura dhe ekzekutim faturash si para, ashtu edhe pas kohës kur pretendohet se është kryer vepra penale.

Ai tha se pas urdhrit për ndalesë afatgjate, ATK-ja ka bërë kontroll, e që sipas tij fokus kanë qenë 3 fatura, prej të cilave 2 kanë qenë para datës kur pretendohet se është kryer vepra penale dhe një ka qenë pas asaj date, duke theksuar se është konstatuar se të tri faturat janë paguar konform legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu, nga palët e treta të cilat janë propozuar në aktakuzë, në këtë seancë janë dëgjuar edhe Jeton Bytyqi, pronar i “Multi Busines Group” i cili u paraqit me avokatin Florim Vertopi, pronari i “Driton Kastrati B.I.”, Driton Kastrati, pronari i “Haliti-Beton” Sh.P.K. Nexhat Haliti me avokatin Sylë Hoxha, pronari i “UNI Trade” Naser Neziri, pronari i N.T.P. “Xeni-T” Bekim Topalli, Fatmir Bajrami me avokatin Blerim Mazreku, pronari i D.P.T. “Next Plast” Bajram Ramadani, pronari i KF “Gryka Llapushnik” Burim Bujupi, Besim Hoti me avokatin Dardan Morina, pronari i “Shpejtim Rexhaj B.I.” Shpejtim Rexhaj, pronari i “Isotherm Muja” Sh.P.K. Mujë Llugaxhiu, pronari i “NT Hysenaj” Nebih Mazreku, pronari i “Euroasfalt” Fatos Deva, pronari i “Rizaim Holdin” Sh.P.K. Raif Morina me avokatin Hetem Rugova, pronari i “Gezimi” Sh.P.K. Shemsi Xhelili, pronari i N.T.P. “Nallbani” Mehmet Nallbani, pronari i “Gashi Komerc” Sh.P.K. Gëzim Gashi me avokatin Nazmi Mustafa, pronari i N.T.Sh. “Sunguri” Mehmet Sunguri, pronari i “Ideal Group” Sh.P.K. Visar Gashi, si dhe pronari i “Euro Abi” Sh.P.K. Kadrush Rexhepi, me avokatin Afrim Salihu.

Ndërkaq, pronari i “AL Metal Sadria” Sh.P.K. Sadri Elshani nuk ishte i pranishëm, mirëpo është përfaqësuar nga avokati Kushtrim Bytyqi.

Po ashtu, i pranishëm nuk ishte as Lulzim Gashi, pronar i N.T.P. “Air Tours”, e që si përfaqësues u paraqitën Ramë Morina dhe Florent Sallahu, për të cilët kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti ka thënë se nuk kanë legjitimitet për përfaqësim, ngase të njëjtit nuk kanë autorizim nga Gashi.

Ndryshe, të gjitha palët e treta që kanë dhënë deklarata në polici, apo edhe prokurori, kanë deklaruar se mbeten prapa tyre, si dhe është kërkuar nga të gjithë që të zhbllokohen xhirollogaritë bankare të tyre që janë bllokuar.

Kurse, për palët e treta të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në këtë seancë, gjykatësi Hoti ka thënë se do të bëhet edhe një përpjeke që të dëgjohen në seancën e radhës, e cila u caktua më 1 dhjetor 2022.

“I akuzuari Kadri Shala i kishte 70 mijë euro borxh nënës sime, i kishte thënë se po i nevojten për obligimet lidhur me një tender”

Prishtinë- Laureta Muhadri-Bujupi, pronare e “Ferma e Pulave”, në Arllat, e cila është njëra ndër palët e shumta të interesit, në gjykimin kundër Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, ka deklaruar se i akuzuari Shala është daja i bashkëshortit të saj, si dhe ka pasur borxh ndaj nënës së saj në shumë prej 70 mijë euro, të cilat i kishte thënë se po i nevojiten për të realizuar obligimet që ka lidhur me një tender.

Këtë borxh, sipas saj, i akuzuari nuk e ka kthyer me kohë sic ishte marrëveshja për një vit, mirëpo pas 7 viteve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë rast, Labinot Gruda dhe Kadri Shala akuzohen për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit.

Muhadri-Bujupi ka deklaruar se i akuzuari u kishte thënë se ky borxh po i nevojitet për të realizuar obligimet që ka pasur lidhur me tenderin për ndërtimin e shtëpive për minoritete, si dhe do t’ua kthejë borxhin atëherë kur Ministria ia bën pagesën.

E njëjta theksoi se e ëma e saj borxhin ia kishte dhënë kesh, kurse i akuzuari ua ktheu në llogari.

Ndryshe, prokuroria dhe mbrojtja nuk kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e 31 tetorit, kishte filluar gjykimi rishtazi pasi që paraprakisht është bërë ndryshimi i trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatëses Shadije Gërguri, tani e tutje do të jetë gjykatësja Valbona Selimi-Musliu.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Labinot Gruda më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.

Sipas aktakuzës, Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF” (Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.

Kurse, Kadri Shala akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centëm t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.

Prokuroria, gjithashtu pretendon se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshmem fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.