Vendimi në rastin e Klanit, Kelmendi reagon ndaj Ministrisë së Tregtisë

Ish-drejtori i Klan Kosovës, gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se Ministria e Tregtisë është demantuar nga gjykata.

Ai ka thënë se pretendimet e MINT-it se Klan Kosova nuk i ka bërë përmirësimet në regjistrimin e biznesit, janë hedhur poshtë nga Gjykata Komerciale në një vendim të nxjerrë sot për caktim të masës së sigurisë në rastin e Klan Kosovës.

Kelmendi tha se “rrena i ka këmbët e shkurtra”.

“A po ju kujtohet që MINT dhe disa suflerë të pushtetit thonin nuk janë bërë përmirësimet?
Rrena i ka këmbët e shkurtra”, tha Kelmendi.

Ai publikoi një pjesë të arsyetimit të Gjykatës Komerciale në atkvendimin për Klan Kosovën.

“Gjykata gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se paditësi ka bërë përmirësimet e nevojshme në shoqërinë tregtare të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, ashtu që sipas Certifikatës së Regjistrimit nr. ser. 10076953 dhe informatat e biznesit të lëshuara me datë 21.06.2023, “Klan Kosova” Sh.p.k. është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me datë 26.11.2008, me numër unik identifikues 810795297 me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatorëve, Prishtinë, në pronësi të KGO Media Investments Holding me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatorëve, Prishtinë dhe person të autorizuar B.I. me adresë rr. “…” nr…., Pejë, Kosova”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.