Vendimi për stopim të prodhimit të kriptovalutave, absurd për njohësit (VIDEO)

Për ta kursyer rrymën në kohë krize, nuk bën të prodhohen kriptovalutat. Kësi vendimi ka marrë Ministria e Ekonomisë, për ta ulur shpenzimin e energjisë elektrike, pasi konsideron se makinat e prodhimit të monedhave digjitale janë shpenzues të mëdhenj.

Ministrja Artane Rizvanolli njoftoi të martën se kjo veprimtari ndalohet në krejt territorin e vendit.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave”, thuhet në postimin e Rizvanollit, njofton Klan Kosova.

Nuk dihet nëse këto institucione do t’ia mësyjnë edhe veriut, që konsiderohet fole e prodhuesve të kriptovalutave, pasi në këtë zonë nuk paguhet as rryma.

Por sido që të jetë, vendimi po konsiderohet absurd nga njohësit e fushës. Granit Kadolli e arsyeton kundërshtinë e tij me shembuj interesantë.

Sipas tij, një apo dy riga shpenzojnë më pak se 50 për qind të rrymës që përdoret për ngrohje në banesa. Teksa thotë se aparati i kafesë harxhon më shumë energji sesa një makinë prodhimi e kriptovalutave.

Mesatarja e shpenzimit të rrymës me një kartelë grafike, brenda muajit mund të shkojë deri në 40 euro.