Veprat penale shënojnë rënie në Komunën e Vushtrrisë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka mbajtur takimin e parë, në mandatin e ri qeverisës, në Komunën e Vushtrrisë, ku është diskutuar për gjendjen e sigurisë në Vushtrri.
Në raportimet e Policisë së Kosovës, por edhe KFOR-it, në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, gjendja e sigurisë në Vushtrri u vlerësua të jetë mjaft e qetë dhe stabile, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.

Në raportimin e KFOR-it u vlerësua se me gjithë rastet e tensionimit të gjendje së sigurisë në Veri të Kosovës, ajo situatë nuk është reflektuar edhe në territorin e Vushtrrisë.

Ndërsa, komandanti i policisë, Muhamet Alidema, tha se në tremujorin e parë të këtij viti ka rënie të ndjeshme të veprave penale në territorin e Komunës së Vushtrrisë.

Gjithashtu në këtë takim u fol edhe për çështje tjera, si qentë endacakë, parkimet e parregullta të automjeteve në rrugë, si dhe për probleme tjera që lidhen me sigurinë e qytetarëve të Vushtrrisë.