Veseli: Do të kërkojmë Komision Hetimor për procesin e privatizimit, nuk do të përjashtohen as individët në partinë time

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij, do të iniciojë një sërë nismash për themelimin e Komisioneve Hetimore në Kuvend, për procese të ndryshme. Ai ka thënë se nga këto procese nuk do të shpëtojnë as individë në partinë e tij.

“PDK dhe unë si kryetar i saj jemi të përkushtuar për ta përfaqësuar në mënyrë sa më të dinjitetshme interesin e qytetarëve të Kosovë. Jemi të përkushtuar për një vend ku nuk ka vend për krim dhe korrupsion. Ju kam dhënë fjalën dhe po angazhohem vazhdimisht që ta mbaj fjalën e dhënë. Nga sot e nisim ballafaqimin me të vërtetën për shumë tema e vendime që janë përfolur e abuzuar politikisht përgjatë 20 viteve të fundit.

PDK do të ndërmarrë vendime konkrete kushtetuese e ligjore brenda Kuvendit, për temat që do t’i shërbejnë interest publik dhe do të nxjerrin përgjithmonë se kush janë.Themelimin e Komisioneve Hetimore për cështje të vecanta për publikun, duke përfshirë këtu edhe iniciativa legjislative hetimore dhe gjithcka .

Nuk do të përjashtohen as individë brenda partisë sime. Sot nis një epokë e re për qytetarët e Kosovës, për të vërtetat e privatizimeve ndërmarrjeve shoqërore. Shpeshëherë njerëzit e involvuar në këto procese janë zhurmagjinjët më të mëdhenj. Kërkesa e parë është themelimi i Komisionit Hetimor për procesin e privatizimit”, ka thënë Veseli në një konferencë për media