Veseli: Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli e ka hapur fushatën e PDK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mitrovicë, shkruan Fokusi.info.

Para mijëra simpatizantëve, Veseli ka thënë se është në qytetin e tij të dashur, në vatrën e atdhetarisë, në djepin e Isa Boletinit, në vendin që e frymëzoi dhe ku nisi rrugëtimin jetësor, për të filluar suksesshëm fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Unë jam sot këtu, në Mitrovicë, si biri juaj, për ta nisur me këmbë të mbarë këtë rrugëtim të ri të Kosovës dhe për ta filluar suksesshëm fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Kam zgjedhur Mitrovicën për ta përcjellë qartë dhe fuqishëm mesazhin e Kosovës dhe të Partisë Demokratike: se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë. E Kosova dhe Mitrovica janë mirë, kur ky vend i bekuar nga Zoti, zhvillohet e ndërtohet më shumë dhe kur qytetarët tanë janë më të kënaqur me jetën e tyre dhe me shtetin e tyre”, ka thënë lideri i PDK-së.

Ai ka thënë se është në Mitrovicë për ta bërë hapin e parë drejt 6 tetorit.

Lideri i PDK-së ka thënë nuk duhet të ketë ndarje, por bashkim me vizionin e PDK-së për ta ndërtuar të ardhmen.