Veteranët përgjigjen ndaj propozimit të Kurtit

Pas më shumë se një muaji pritje, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pranuar propozimin nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirje në pagën minimale.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kreu i ekzekutivit ka propozuar që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare, transmeton Fokusi.info.

Në propozimin e Kurtit thuhet se hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit duhet të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.

Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, ai ka propozuar përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.

“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, tha Kryeziu.

Tutje, ai shtoi se alternativë ndaj këtij propozimi mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve.

“Ky ligj në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, u shpreh tutje ai.

Pranimin e shkresës e konfirmoi përmes një statusi në facebook edhe Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Statusi i plotë:

Meqë zëdhënësi paska treguar në media se çfarë kanë sjellur te ne si propozime nga kryeministri Kurti, po e theksoj këtë:

Aplikimi, vlerësimi dhe verifikimi i veteranëve është bërë mbi bazë të ligjit. Për çdo shkelje të ligjit janë organet kompetente, dhe pas thirrjeve tona, ka filluar proces gjyqësor dhe lënda është në gjykatë.

Deri sa të bëhet ligj i ri, vlen ligji i vjetër, pra duhet të rritet paga minimale në Kosovë e krahas saj edhe beneficioni i veteranit që lidhet me të.

Ligj i ri për vlerësim e verifikim, përveç dosjeve që janë në prokurori e nuk ka se si bëhet, është edhe ndërhyrje në procesin gjyqësor.

Por, pasi ta shqyrtojmë, gjithsesi do t’i kthejmë përgjigje me shkrim.