Vetëvendosje e konfrimon: LDK e ka kërkuar kryeparlamentarin, nuk japim këtë pozitë

Pazaret politike për ndarjen e hises së pushtetit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk po mund të përfundohen, një marrëveshje e koalicionit mes dy partive tani është larg pasi nuk po mund të arrihet vetëm për shkak të problemeve për ndarjen pozitat e larta shtetërore.

Gazeta Metro siç ka raportuar edhe më herët, mësohet se Albin Kurti është pajtuar që pozita e Presidentit të shtetit në vitin 2021 t’i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe plus një ministri të cilën do ta përzgjidhte Isa Mustafa.

Por, krejt kjo ofertë nga Kurti po bëhet pasi nuk dëshiron që pozita e Kryetarit të Kuvendit t’i merret nga LDK’ja, ai i ka thënë Isa Mustafës se Glauk Konjufca nuk do të shkarkohet nga kjo pozitë dhe Vetëvendosje nuk do të ketë kthim mbrapa nga ky vendim.
Mirëpo, kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka kërkuar nga Albin Kurti që t’i përmbahet marrëveshjes paraprake dhe pozita e Kryetarit të Kuvendit t’i takon LDK’së siç kishin thënë edhe vet ata në fillim.

Propozimi i ri që ka lindur nga Mustafa është se LDK’ja ta marrë kryeparlamentarin për vitin e parë dhe pastaj t’ia kthejë Vetëvendosjes më 2021, pasi të zgjidhet presidenti nga radhët e LDK’së.

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se Lidhja Demokratike e Kosovës po dëshiron që situata e negociatave mes dy partive për formimin e qeverisë të kthehet në periudhën kur flitej që LDK-së do t’i takonte pozita e kryeparlamentarit.

Në një intervistë në emisionin SOT në KTV, Haxhiu ka thënë se megjithatë zgjedhja e 26 dhjetorit e Glauk Konjufcës të VV-së kryeparlamentar është çështje e pakthyeshme për partinë e saj.

“E dini se qysh një ditë pas zgjedhjeve ka pas insistime të VV-së për të arritur koalicionin me LDK-në. Edhe përkundër vullnetit tonë, fatkeqësisht s’kemi ende marrëveshje me LDK-në. Jemi lëshuar fillimisht në aspektin programor dhe kemi arritur të përfshijmë 50 për qind të programit të LDK-së. Kemi mbyllur të gjitha çështjet në arsim, shëndetësi, drejtësi e prioritete të tjera. Kur jemi lëshuar në nivelin e ndarjes së përgjegjësive, kemi hasur në rezistencë.

Kemi pasur takime ditëve të fundit. Kemi pasur shumë takime sepse kemi pasur mospajtime. S’mund të them me garancë se marrëveshja VV-LDK do të ndodhë me siguri sepse s’varet vetëm prej nesh. Negociatat kanë ngecur te kërkesa e LDK-së për kthim të para datës 26 dhjetor, kthesë e vendimit të deputetëve për kryeparlamentarin që është e papranueshme për ne. U kemi bërë një ofertë e po presim përgjigjen”, ka thënë ajo./gazetametro.net