Vjedhja e radarëve në Aeroportin e Prishtinës, vjen reagimi i ASHNA-së

362

U raportua se në Aeroportin e Prishtinës janë vjedhur pajisje mekanike të radarëve civilë në vlerë të 63 mijë e 500 euro.

Lidhur me këtë, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) ka mohuar se në Aeroportin e Ndërkombëtar “Adem Jashari” janë vjedhur pajisje mekanike të radarëve civil të paketuar.

Nga AShNA thonë se vjedhje nuk ka ndodhur në këtë agjenci dhe se operimet në AShNA janë duke u zhvilluar në bazë të dinamikës së paraparë dhe planit operativ.

Reagimi e plotë të AShNA-së:

NUK KA NDODHË ASNJË VJEDHJE NË ASHNA, OPERIMET JANË DUKE U ZHVILLUAR NORMALISHT

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), njofton se nuk ka ndodhë vjedhje e pjesëve të radarëve dhe asnjë lloj vjedhje në këtë institucion, siç është raportuar në disa media.

Ky sqarim vie pas publikimit të lajmit në disa media për vjedhjen e pajisjeve të radarëve në Aeroportin e Prishtinës, duke përdorur si ilustrim me qëllim ose pa, foton e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku më pastaj shumica e mediave janë drejtuar në ASHNA për të kërkuar detaje se si ka ndodhur rasti.

Edhe njëherë ASHNA sqaron për opinionin publik se rasti i raportuar si vjedhje e pajisjeve të radarëve nuk ka ndodhur në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe se operimet në ASHNA, janë duke u zhvilluar në bazë të dinamikës së paraparë dhe planit të operimeve dhe standardeve të larta të sigurisë, ku vetëm sot janë të planifikuara mbi 50 operime në ASHNA.