Vjen një lajm i keq për bujqit nga ministri Peci

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka dhënë një lajm të keq për bujqit sot.

Ai ka thënë se ky do të jetë viti i fundit ku bujqit do të kompensohen për dëmet si pasojë e kushteve klimatike.

“Ky do të jetë viti i fundit ku ne si ministri do të bëjmë kompensimin e dëmeve, pagesat ad-hoc janë të dobishme për fermerin por synimi është që ne duhet të bëjmë përpjekje për vitet e ardhshme të ngritim vetëdijen që fermerët duhet të bëjnë firmën e sigurimit”, ka thënë Peci.

Sipas tij, humbjet në 10 vitet e fundit nga kompensimi kanë qenë 80 milionë euro.
“Buxheti i ministrisë për pagesa direkte është 50 milionë euro, mirëpo do të shohim se si do të jetë numri i aplikimeve dhe se nuk di a mbetet vetëm me 50 milionë euro. Jemi të vetëdijshëm që njëri nga sfidat janë humbjet nga kushtet klimatike. Në 10 vitet e fundit bujqit tanë kanë pasur humbje prej 80 milionë euro apo 50 për qind e produktit vjetor në bujqësi si pasojë e faktorëve klimatik”, ka deklaruar Ministri.

Këto deklarata, Peci i ka dhënë në një takim të organizuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), me temën “Sigurimi i Bujqësisë – Rritja e bujqësisë në Kosovë duke menaxhuar me rreziqet e motit”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se humbjet si pasojë e faktorëve klimatik në 10 vitet e fundit ishin 80 milionë euro.