Vjen përgjigja e VV-së ndaj Agim Veliut: Ju kemi dhënë gjysmën e Qeverisë, Presidentin po e trajtoni si “plaçkë lufte”

Lëvizja Vetëvendosjes i është përgjigjur LDK’së, lidhur me atë se koalicion nuk mund të ketë pa u vendosur edhe posti i Presidentit, duke thënë se kësaj partie ‘ia kanë dhënë gjysmën e Qeverisë’, dhe se institucionet tjera nuk duhet të trajtohen si ‘plaçkë lufte’, shkruan Gazeta Metro.

Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka ka thënë se zgjedhjet e tetorit nuk kanë qenë presidenciale, dhe se subjekti i dytë, në këtë rast LDK, ka bërë shumë zgjedhje.

“Zgjedhjet e 6 tetorit nuk ishin zgjedhje presidenciale. Këtë e kanë thënë figurat kryesore të LV e LDK, këtë e pret populli, këtë e kanë thënë edhe partnerët ndërkombëtarë. Fituesi i zgjedhjeve ka lëshuar pe kur ka ofruar gjysmën e programit dhe gjysmën e qeverisë, si dhe mundësinë që vendin, kohën, formatin e diskutimeve, si edhe zgjedhjen e parë ta bëjë subjekti i dytë. Institucionet e tjera nuk duhen trajtuar si plaçkë lufte” tha Manxhuka për Gazeta Blic.

Kujtojmë se më herët, Agim Veliu i LDK’së, tha se nëse nuk vendosen tani të gjitha përgjegjësitë, koalicion me VV’në mund të rrezikohet për punën tuje.

‘Mendimi i të gjithëve dhe disponimi është që tani të definohen të gjitha përgjegjësitë që i kemi me Vetëvendosjen në koalicion, tani e jo më vonë. Sepse çdo gjë që lihet më vonë për diskutim rrezikon koalicionin në punën e tij të mëtejme’, ka thënë Veliu.

Kujtojmë se VV dhe LDK kanë vetëm edhe katër ditë për të zyrtarizuar koalicionin, deri në seancën konstituive e cila do të mbahet më 26 dhjetor, në ora 15:00.