Zëdhënësi i KFOR-it: Nuk kemi dërguar përforcime në veri pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës

KFOR-i nuk ka dërguar përforcime në veri të Kosovës, pas sulmit ndaj policisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një efektiv, u plagosën dy të tjerë, si dhe u vranë tre sulmues serbë.

Për ABC News, zëdhënësi i KFOR-it, Koloneli Andrea Gallieni tha se trupat janë më të përqendruara vetëm në zonat më të ndjeshme.

“Nuk ka përforcime, trupat e KFOR-it janë më të përqendruara vetëm në zonat më të ndjeshme.”, theksoi ai.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.