Vjosa Osmani sqaron “ultimatumin” e partisë së saj ndaj VV-së

Për afatin e vënë nga LDK-ja që deri ditën e diele të vendoset nëse do të ketë ose jo marrëveshje në mes LDK-VV, Vjosa Osmani tha se kjo është vendosur për arsye të përfundimit sa më parë të marrëveshjes.

Siç tha Osmani, afati është caktuar ajo tha se në mënyrë t’i jepet kohë mandatarit për kryeministër të negociojë edhe me pakicat minoritare.

“Po shpresoj, kjo është një mundësi e mirë, nuk është çështje e afateve, por është çështje e mundësisë.

Ne dëshirojmë të sigurohemi që marrëveshja ndërmjet LDK-VV, të arrihet këto ditë në mënyrë që të kemi kohë të mjaftueshme që të bëhen takimet dhe koordinimet e nevojshme dhe me pakicat.

Në këtë rast me pakicat jo serbe të cilat kërkojnë kohë dhe nuk do të ishte e ndershme nga ana jonë që të shtyheshin çështjet deri në ditën e 15 dhe pastaj mos t’i jepet mandatarit për kryeministër të bisedojë edhe me pakicat.

Synimi është këtu që të lihet kohë e mjaftueshme pas arritjes së marrëveshjes sonë. Në mënyrë që ajo marrëveshje të kalojë në organet vendimmarrëse të LDK-së dhe partisë tjetër.

Pra ka çështje që marrin kohë, por me rëndësi është që të arrihet kjo marrëveshje, të tregohet një vullnet i plotë për një gjë të tillë.

Prandaj këto dy tri ditë do të duhej të shfrytëzohen efektivisht”, tha ajo.

Prej ditës së hënë kur është mandatuar për kryeministër, Albin Kurti kanë mbetur edhe njëmbëdhjetë ditë kohë për formimin e qeverisë.