Vlora Çitaku i reagon Qeverisë: Marrëveshja e Washingtonit nuk është hajgare e lojë fëmijësh

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Vlora Çitaku ka reaguar rreth deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, se marrëveshja e Washingtonit nuk ka vlerë juridike.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Vlora Çitaku ka thënë se marrëveshja e Washingtonit, apo zotimet e Washingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh.

“Me aleatët, e posaçërisht me SHBA’të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike. Para pak ditësh ishte në Kosovë i deleguari i Departmentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Jam e bindur se në takimet të cilat janë zhvilluar ka pasur mundësi që të trajtohen këto shqetësime. Pastaj, se Administrata e Presidentit Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Shtetit Blinken”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, të premten ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar në Kuvend.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka deklaruar Kryeziu.

Kundër kësaj deklarate të Kryeziut ka reaguar edhe Ramush Haradinaj e Lumir Abdixhiku.