Von Cramon demanton zv/ministrin e MPJD-së: Kosova nuk i ka siguruar votat për Këshill të Evropës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti në dhjetor të vitit të kaluar tha se Kosova i ka votat në favor të saj për të kaluar fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ahmeti kishte thënë se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përpos Malit të Zi, pret që Kosova të anëtarësohet në afat rekord në KiE, megjithatë tha se “nuk e di se kur ky proces do të përfundojë”.

Për këtë çështje, ka reaguar raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

“Shumica e tyre në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nuk do të marrin pjesë në votim apo në rastin më të keq do të votojnë kundër. Kjo është së paku ajo që kam dëgjuar”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Kurse, politologu Jasmin Mujanoviq, ka thënë se është interesante të shihet se si do të votojnë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

“Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, thotë se Qeveria ka siguruar mjaftueshëm vota që të pranohet në Këshillin e Evropës. Do të ishte arritje e madhe diplomatike për Prishtinën, nëse është e saktë. Nëse ky zhvillim rezulton në votim formal në Këshill, atëherë do të ishte veçanërisht interesant për të parë si votojnë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, por edhe Ukraina e Bosnja”, ka shkruar Mujanoviq në Twitter.