Von der Leyen: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i domosdoshëm

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm.

Von der Leyen ka postuar në llogarinë e saj në Twitter një foto nga takimi i saj me Bërnabiqin, me të cilën, siç ka shkruar, “ka pasur një takim të mirë”

“Komisioni Evropian mbështet përpjekjet e Serbisë për anëtarësim në BE. Plani ynë i ri do të ndihmojë në përshpejtimin e reformave, në rritjen e investimeve të BE-së dhe do t’ju sjellë më pranë tregut të përbashkët”, ka shkruar ajo.

Bërnabiq ka deklaruar para gazetarëve se sa i përket deeskalimit në veri të Kosovës, “topi është në fushën e Prishtinës”.

“Është e nevojshme që para së gjithash ngacmimet dhe dëbimet e serbëve nga Kosova dhe arrestimet dhe ndalimet arbitrare pa asnjë provë, maltretimet dhe torturimet e njerëzve që janë plotësisht të pafajshëm dhe për të cilët të gjithë kanë prova se janë të pafajshëm, nga ne e deri te EULEX-i”, ka pretenduar ajo.