Menu Mbylle

Vuçiqi për shkak të ‘vajzës së tij dhe djalit të Thaçit’ nuk do të bisedojë me Albin Kurtin

Aleksandar Vuçiq është deklaruar sot në Serbi se nuk do të bisedojë me Albin Kurtin që pritet ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se Kurti ia ka ofenduar vajzën dhe për këtë arsye nuk do të bisedojë me të.

Presidenti serb në mënyrë ironike ka thënë se “është një gjë e mirë  që Kurti ka filluar të merret edhe me çështje organizative se kush duhet të udhëheq delegacionin tonë në dialog”.

Vuçiq thotë se është mirë që Bashkimi Evropian mund të shoh faktin se Kurti dëshiron të vendos se kush do të negociojë në bisedimet për normalizimin e raporteve.

Tutje Vuçiq ka thënë se Kurti e ka problem çështjen se si do të përballen, pas deklaratave që kreu i Vetëvendosjes i kishte bërë për vajzën e Vuçiqit.

“Ai e ofendoi vajzën time të mitur, kështu që tashmë ai e pyet veten se si do t’i kundërpërgjigjem, duke mos qenë i sigurt se si do të mund të shkonte një takim i mundshëm”, ka potencuar Vuçiq

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje vitin e kaluar derisa ishte duke komentuar takimet e shpeshta mes Thaçit dhe Vuçiqit, kishte thënë  në formë ironike se tashmë ka mbetur vetëm që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiqit. Por Kurti në një intervistë të më vonshme ka sqaruar që nuk e ka ditur fare që Vuçiq ka një vajzë./Gazeta Sinjali/