Vonesat në formimin e Qeverisë, pasoja në agjendën e integrimit

Kosova do t’i vuajë pasojat nga mungesa e Qeverisë jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe në raport me agjendën evropiane, e cila është larg së përmbushuri. Pavarësisht kësaj, diplomatët evropianë e kanë bërë të qartë se nuk do të ndërhyjnë në procesin e formimit të Qeverisë. Por një ditë më herët ata dëgjuan qëndrimet e partive që janë duke negociuar marrëveshjen e koalicionit – Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, të mërkurën ka folur për pjesëmarrjen e saj dhe ambasadorëve të QUINT-it në takimin e LVV-së dhe LDK-së, me ftesë të mandatarit për kryeministër, Albin Kurti.

“Ne vetëm kemi dëgjuar palët, por nuk kemi avokuar për një zgjidhje të veçantë në takimin e mbrëmshëm me partitë që po negociojnë arritjen e koalicionit. Nuk na takon neve të ndërhyjmë”, ka thënë Apostolova, shkruan Koha Ditore.

Por, ka shtuar se Bashkimi Evropian ka nevojë urgjente ta dijë se kush është partner i saj në Qeverinë e ardhshme të vendit.

“Është me rëndësi që ta kemi shpejt formimin e Qeverisë në funksion të implementimit të reformave në rrugën drejt integrimit”, ka theksuar Apostolova, në kuadër të pritjes së organizuar nga Ambasada kroate në Prishtinë. Ambasadorja Danijela Barisiq ka paraqitur prioritetet e Presidencës së Kroacisë në Këshillin e Bashkimit Evropian. Për Kosovën ka thënë se është kandidat potencial dhe se do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë avancimit të marrëdhënieve dhe integrimit. Sipas saj, procesi i integrimit bazohet në përmbushjen e kritereve dhe krijimin e mundësive për qytetarët e vendit. Që kjo të ndodhë, ajo ka shtuar se Kosovës i duhet një qeveri funksionale.

“Natyrisht, qytetarët e Kosovës dëshirojnë të jetojnë në një shtet të rregulluar, me prosperitet, ku respektohet sundimi i ligjit dhe ku respektohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile. Kjo është arsyeja thelbësore që të formohet qeveria sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të punohet në reformat e nevojshme”, ka thënë Barisiq.