Vraponi drejt sheshit, vetëm edhe pak ditë do ta shihni të dekoruar e me drita

Për më shumë se një muaj, sheshet e kryeqytetit kanë qenë të dekoruara për festat e fundvitit. Dritë e ngjyra i dhanë festat Prishtinës, që nga 3 dhjetori i vitit të kaluar, e po vazhdojnë t’i japin ende. Por, dekorimet në kryeqytet së shpejti do të largohen.

Për më shumë se një muaj, mijëra qytetarë nga mbarë Kosova kanë frekuentuar sheshet kryesore të Prishtinës për të shijuar ditët festive dhe atmosferën e organizuar në kryeqytet.

Java tjetër do ta gjejë kryeqytetin në gjendjen e njëjtë që ishte para festave, pasi kanë mbetur edhe pak ditë deri në largimin e dekorimeve nga sheshet e rrugët e Prishtinës.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Express zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, e cila ka thënë se në fund të kësaj jave do të fillojë largimi i dekorimeve nga kryeqyteti.

Njëjtë kanë thënë edhe nga kompania e cila është kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

“Kontratën e kemi deri më datën 10 janar. Gjatë këtyre ditëve do të na njoftojë Komuna e Prishtinës dhe do të fillojë largimi i dekorimeve nga qyteti”, kanë thënë nga kjo kompani.

E bashkë me dekorimet do të largohen edhe shtëpizat të cilat kanë qëndruar në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe “Skënderbeu” të kryeqytetit.

“Prite n’shesh”, është ngjarje kulturore që organizohet nga Komuna e Prishtinës tash e 5 vite. Nga data 4 deri më 31 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, kishte mbrëmje muzikore dhe artistë të cilët argëtonin qytetarët.

Për 28 ditë me radhë, në dy sheshet kryesore atmosfera fillonte nga mesdita, duke vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ndërkaq, për dekorimin e qytetit, Komuna e Prishtinës, ka shpenzuar rreth 63 mijë euro. Kjo shumë ishte pjesë e kontratës kornizë në vlerë prej 190 mijë euro për 36 muaj (3 vjet).

Në kontratën kornizë të Komunës së Prishtinës bëhet e ditur se ky buxhet është +/-30% me devijim të lejuar. Kryeqyteti për kontratën kornizë sivjet ka nënshkruar kontratë me ndërmarrjen private “Anea”.

Në kontratë përfshihen edhe detajet e zbukurimeve duke i arsyetuar mjetet e dedikuara. Ku përcaktohet edhe gjatësia e bredhit që duhet të jetë deri në 10 metra, ngjyrat e dritave dekoruese janë përcaktuar të kuqe dhe të bardhë, si dhe është përcaktuar edhe mirëmbajtja e këtyre dekorimeve./GazetaExpress/