Vrasje në tentativë në Prishtinë: I mituri e ther me thikë 39-vjeçarin që e ngacmoi seksualisht

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë, ku pas një përleshjeje fizike që ndodhi mes dy personave, ka mbetur i therur me thikë një 39-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuar për rastin është një person i mitur, teksa në konflikt janë përfshirë edhe vëllai dhe nëna e tij.

Sipas burimeve, i mituri dyshohet se fillimisht u ngacmua seksualisht nga 39-vjeçari dhe kjo u bë sebep që 16-vjeçari ta sulmojë me thikë.

Pasi lajmëroi nënën dhe vëllain e tij për atë që ka ndodhur, i dyshuari i mitur u kthyer në vendin e njëjtë ku dyshohet se u ngacmua seksualisht dhe më pas u përfshinë në një përleshje me të dyshuarin që u plagos.

39-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim të miturin dhe vëllain e tij që u përfshinë në rrahje. Po ashtu, në cilësinë e dëshmitares është intervistuar edhe nëna e dy të rinjve.

Me urdhër të prokurorit, i mituri është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Tentim vrasje’. Ndërsa 39-vjeçari që po vazhdon trajtimin mjekësor në spital, do të hetohet për ‘Ngacmim seksual’.

Subjekt i hetimeve nga ana e organeve të drejtësisë, është edhe vëllai i të miturit, i cili dyshohet se kreu veprën penale ‘Pjesëmarrje në rrahje’.