Vrasjet në Shkodër, shkarkohet shefi i komisariatit Vasil Çela

Vrasja e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali mëngjesin e së shtunës në Shkodër, u shoqërua me shkakrkimin e drejtorit të Policisë atje, Vehbi Bushati, i cili u zëvendësua me Niko Brahimajn.

Por me sa duket ndryshimet në radhët e uniformave blu nuk do të përfundojnë me aq. “BalkanWeb” raporton se pas ndryshimit të drejtorit, ikën edhe shefi i komisariatit, Vasil Çela. Në vend të tij është emëruar Lorenc Meta.

Shkarkimi i drejtorit të policisë u bë nga vetë ministri Lleshaj. “Për t’i dhënë një impuls të ri kemi vënë në Policinë e Shkodrës Niko Brahimaj në vend të Vehbi Bushatit. Erdha në Shkodër për këtë arsye por edhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur. Është vrasje për larje hesapesh në Shkodër. Forcat e policisë po bëjnë maksimumin për ta zbardhur ngjarjen”,- deklaroi Lleshaj nga Shkodra.

Debate për situatën e krijuar nga revanshi që ka marrë krimi në këtë qytet, ka pasur sot mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kryetares së bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Ademi u shpreh se rikthimi i sigurisë në Shkodër, nuk është çështja e vullnetit të një personi dhe se do duhet të ketë forca të specializuara. Në këto histori, deklaroi ajo ka pasur edhe njerëz të pafajshëm që kanë ngrënë plumbin.