Vritet me armë 44-vjeçari

Një 44-vjeçar është qëlluar për vdekje mbrëmë rreth orës 22:00 në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Me të dalë në vendin e ngjarjes njësitë policore dhe emergjenca, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjenn e 44-vjeçarit

“Me datën 26 janar 2020 rreth orës 21:53 min., Policia ka pranuar një informacion për një rast vrasje me armë zjarri në fshatin Maqiteve, Komuna e Suharekës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe emergjenca dhe nga mjeku kujdestar është konfirmuar se viktima nuk ka shenja jete”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e ka arrestuar një 40-vjeçar si të dyshuar për kryerjen e krimit. Sipas Policisë, ai ishte nën ndikim të alkoolit.

Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur 6 gëzhoja të zbrazëta të armës dhe 4 pjesë metalike që dyshohet se janë të predhave të plumbit të armës. Ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë dhe automjetin e të dyshuarit janë gjetur një pushkë gjysmë-automatike me dy fishekë dhe dy gëzhoja me të cilat dyshohet se është qëlluar 44-vjeçari.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion më urdhër të prokurorit, ndërsa më rastin po merren hetimet rajonale të Policisë për t’i kuptuar rrethanat e vrasjes. /Gazeta Sinjali/