Policia për vdekjen e të dyshuarit për incidentin në Fushë Kosovë: Dyshohet për vetëplagosje

Ka ndërruar jetë personi që dyshohet të ketë plagosur me armë zjarri dy gra sot në Fushë Kosovë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari ka hasur në rezistencë përgjatë tentimit për arrestim dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.

“Për rrjedhojë, i dyshuari i armatosur, në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre”, ka bërë të ditur Policia.

“Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit. Aktualisht përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin”.

Vdekjen e të dyshuarit e ka konfirmuar fillimisht për mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Ejup Govori.

“Gjendja e tij kur është pranuar në QKUK ka qenë e rëndë, pra ka pasur shenja jete por ka qenë me parametra vital të komprometuar. Ka pasur dy plagë nga arma e zjarrit”, ka bërë të ditur Govori.

Më pas vdekjen e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe policia, të cilët thane se në ora 18:45 kanë pranuar informatën nga QKUK-ja se i dyshuari nuk iu ka shpëtuar plagëve./Fokusi.info/