Vuçiq hiqet si “zemërgjerë”, i ofron Kosovës rrymë për shkak të reduktimeve: Ndërprerja e rrymës do të vrasë njerëz

Në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij ku u diskutua mandati i qeverisë së re të Serbisë, presidenti serb është përgjigjur edhe për çështjen e Kosovës dhe krizës së fundit. Ai madje ka folur edhe për krizën energjetike në Kosovë.

Vuçiq u pyet si do ta mbrojë KFOR-i popullin serb në Kosovë dhe se KFOR-i, siç është thënë, nuk do të lejojë barrikada në veri. Ai u përgjigj që KFOR duhet të mbrojë pakicat dhe nuk duhet të lejojë keqtrajtimin dhe provokimin e serbëve.

Vuçiq, siç bën shpesh, u ankua për hipokrizinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe standardet e dyfishta, ku theksoi dallimin në qasjen se çka nënkuptohet me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ai pastaj përmendi edhe krizën që aktualisht e ka kapluar Kosovën me reduktime të rrymës.

“Në Kosovë e Metohi çdo ditë do të ndalin rrymën dhe ja eja të provojmë e të ndihmojnë, që të kursejmë së paku 5 a 10 ditë. Këto ndërprerje do të vrasin njerëz, do të vrasin makineri në shtëpi, ja eja të provojmë e të kursejmë 5 a 10 ditë”, tha më tej ai.

Vuçiq vazhdoi duke thënë se “nëse do të mund t’u dhurojmë rrymën kur e kemi, ja po ua japim. Por jo të flitet që Vuçiq nuk është i gatshëm për normalizim. T’ua vëmë emrin gjërave siç duhet, Vuçiq nuk është i gatshëm ta njohë Kosovën, kjo për ta është normalizim”, shtoi ai.

Ai shtoi se do që të zgjidhen problemet mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Por, jo nuk dua që ta pranoj Kosovën. Dhe menjëherë qenkam kundër normalizimit. Shikoni se çfarë shkruajnë media të caktuara botërore, se çfarë rrenacakësh janë. Unë kam thënë se shpresoj që KFOR-i dhe NATO nuk do të lejojnë pogrom dhe vrasje të serbëve dhe nëse ata nuk i mbrojnë, ne do ta bëjmë”, tha ai.

Titulli në media, sipas tij, ishte “Vuçiq kërcënoi se do sulmojë Kosovën”.

“Lëre anash që është rrenë, atyre as që nuk u interesoi se ndoshta do të kishte pogrom ndaj serbëve, kjo pra sipas tyre do të ishte në rregull. Unë thashë se do të mbrojmë popullin, por siç duket unë s’e paskam thënë këtë, paskam thënë që do ta sulmoj Kosovën. Po rreni dhe s’ka që e mat sa po rreni”, u shpreh i frustruar Aleksandar Vuçiq, përcjell Gazeta Metro.

Vuçiq të dielën doli në adresimin e tij të famshëm “më të rëndësishmin ndonjëherë” me pretendime se pala serbe ishte ajo konstruktive, ndërsa kosovarja ajo refuzuese. Ai shkoi aq larg saqë tha që në Kosovë ka grupe çeçene terroriste që po përgatisin pogrom ndaj serbëve. Ai madje paraqiti edhe gjashtë pikat e propozuara nga Republika e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve, ku përfshihej njohja reciproke mes dy vendeve, gjë që është kategorikisht e papranueshme për palën serbe.