Vuçiq: Jam i gatshëm të punojë në planin evropian, por me kufizimet që i kam caktuar

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pret një takim të vështirë sot në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, dhe se “Serbia është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon” si dhe në këtë kontekst “është i gatshëm të punojë në konceptin e planit të ofruar, por me kufizime të qarta të caktuara nga ai”.

Ai ka thënë se gjatë bisedës telefonike me këshilltarin e posaçëm në Departamentin e Shtetit amerikan, Derek Chollet, i ka thënë se pret që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ndërsa diplomati amerikan ka theksuar se SHBA plotësisht e përkrahin propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, raportojnë mediat serbe

Në vigjilje të takimit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shtuar edhe presioni ndërkombëtar lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se presin që ata të pranojnë edhe zyrtarisht e publikisht propozimin në takimin e së hënës.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ai ka theksuar se është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Këto komente, Chollet i bëri pas një bisede me kryeministrin Kurti, në prag të takimit të planifikuar për të hënën me presidentin serb në Bruskel.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian”, shkroi Chollet.

Kryeministri Kurti, shkroi se i ka konfirmuar Chollet qëndrimin e tij për propozimin evropian “si bazë e mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Normalizimi i plotë kërkon njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes dhe respektim të të drejtave të pakicave në të dyja vendet”, shkroi ai.

Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.